Koronavirusi/ CNN: Mjekët e Tajlandës e kurojnë me ilaçet e HIV/AIDS

Dy pacientë të prekur nga koronavirusi  janë shëruar me sukses nga mjekët në Tajlandë. Lajmi është raportuar nga CNN që citon burime të ministrisë së Shëndetësisë në Tajlandë.

Mjekët tajlandezë pretendojnë se kanë shëruar me sukses dy pacientë nga Uhani, të infektuar me koronavirus, duke përdorur kombinimin e barnave antivirus.

Lajmi i raportuar nga CNN është konfirmuar nga një deklaratë për mediat e Ministrisë së Shëndetësisë në Tajlandë.

Kriangsak Atipornvanic, mjek në spitalin “Raxhaviti” në Bangkok, ka thënë se në shërimin e një pacienteje 71 vjeçare ka përdorur kombinimin e barnave të cilat përdoren në shërimin e personave të infektuar me HIV dhe me virusin e gripit. Sipas tij gjendja e pacientes ishte përmirësuar brenda 48 orëve.

Përfaqësuesit e ministrisë në një konferencë për media deklaruan se analizat e fundit laboratorike kanë treguar se në sistemin e frymëmarrjes së pacientes nuk ka më gjurmë të virusit.