Tirana i përgjigjet Teutës: Deklarata raciste ndaj Majkëll Ngo

Tirana ka reaguar dhe i është kundërpërgjigjur Teutës. Klubi durrsak para disa orësh reagoi duke kërkuar nga komisionet e FSHF-së që të shikojnë pamjet filmike dhe të dënoj Ngonë, që me bërryla dëmtoi tre lojtarë.

Tirana në reagimin e saj, thekson se ka respekt për kundërshtarin brenda dhe jashtë fushe, por ka ftuar Komisionin e Etikës që të marrë në shqyrtim deklaratën raciste në drejtim të Majkëll Ngo, që është cilësuar nga durrsakët si “lojtarë me ngjyrë”.

Reagimi i Tiranës:

“Respekt për kundërshtarin brenda dhe jashtë fushe. Kjo është përgjigja e vetme për deklaratën raciste dhe aspak etike të Klubit të Futbollit Teuta. Ftojmë Komisionin e Etikës të marrë në shqyrtim çdo fjalë të shkruar dhe thënë në drejtim të Michael Ngoo. Një shkresë zyrtare me kërkesë do ta përcjellim pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne jemi Tirona, më shumë se një klub futbolli”.

Kjo ishte deklarata e klubit të Teutës për Ngo

“KF Teuta dhe tifozët janë shumë të irrituar për veprimet e lojtarit me ngjyrë të Tiranës, Michael Ngoo, i cili me goditjet e tij me bërryl i ka shkaktuar fraktura tre lojtarëve tanë. I bëjmë me dije komisioneve pranë FSHF-së, që të shikojnë pamjet filmike, dhe të marrin masa për këtë lojtar mostër në fushë, që i ka të përsëritura këto gjeste. Gjithashtu i bëjmë thirrje arbitrave, që ta kenë më shumë në vëmendje këtë lojtar me ato gjeste të shëmtuara me dashje në fushë.

Zyra për shtyp—KF Teuta”.