Rama me Presidentin e PE: Sassoli, mik i mirë i shqiptarëve, por jo mik symbyllur!

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli kanë dhënë sot një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë. Kryeministri Edi Rama e mori fjalën i pari dhe ndër të tjera tha:

“Sassoli është një mik i mirë i shqiptarëve, por nuk është një mik symbyllur dhe si mik i ka shprehur të gjitha opinionet e tij pozitive dhe kritikat për çfarë kemi bërë dhe duhet të bëjmë këtu në Shqipëri dhe së bashku.

Natyrisht që kemi pasur në qendër të diskutimit procesin e integrimit, datat e reja që do të diskutohet ky proces dhe në funksion të këtij diskutimi, kemi folur në mënyrë shteruese për nismën e re të qeverisë, ligjin special dhe atë që quhet paketa kundër KÇK-së. Më vjen shumë mirë që vizita e Presidentit përkon sot me misionin e parë në terren të “Forcës së Ligjit”."