Nuk ndalet lufta e klaneve, një tjetër atentat në zonën ‘shqiptare’

Nuk ka të ndalur lufta e përgjakshme midis klaneve të drogës në Romë, me një tjetër atentat të kryer në mbrëmjen e së premtes. Prokuroria dhe hetuesit nuk kanë dyshime që bëhet fjalë për një gjurmë gjaku që lidh atentatet, të cilët prej një viti mbajnë në terror kryeqytetin italian.

Pak ditë pas vrasjes së shqiptarit 44-vjeçar Gentian Kasa poshtë shtëpisë ku jeton gruaja e tij, regjistrohet një tjetër krim, këtë herë në Tiburtino, bastion droge në lagjen San Basilio.

Viktima e radhës është 54-vjeçari Luciano L., i njohur me nofkën “Cipolla” (qepa), pa precedentë për drogë, por i dënuar më parë për vjedhje. Ai ishte duke shëtitur me gruan në rrugën Treja kur një person i paidentifikuar shtiu drejt tij me pistoletë, duke e plagosur në gju e në dorë.

Askush nuk njoftoi policinë apo urgjencën, i plagosuri u transportua në spital nga gruaja. Vendi i krimit u rrethua nga policia me një ditë vonesë, pasi u njoftua për të plagosurin nga spitali Sandro Pertini.

Hetuesit po ndjekin disa pista për ngjarjen. Lagjja ku ndodhi incidenti është në periferi në juglindje të Romës, ku trafiku i drogës drejtohet nga klani Marando i ‘Ndranghetas bashkë me mafien shqiptare.