'Shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh'/ Haradinaj përshendet koalicionin VV-LDK, mesazh Kurtit

Zhvillimet e ditës së sotme, ku i është hapur rruga marrëveshjes mes VV-së dhe LDK-së, i ka përshëndetur edhe kryeministri në detyrë I Kosovës Ramush Haradinaj.  

Në një postim në Facebook, Haradinaj është shprehur se lajmi mbi dakordimin e VV me LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor të 6 tetorit 2019. 

Duke kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë, kryeministri në detyrë Haradinaj, ka një mesazh për kreun e VV, ku shprehet se qëndron i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër. 

Postimi i plotë:

Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor. Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë.

Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh, me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër.