Të kujt janë ‘gishti’ që ndez motosharrën dhe ‘dora’ që flak produktet e fermerëve shqiptarë?!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është shfaqur sot rrugëve të Tiranës i shoqëruar me ‘gjyshe Verën’, pasi kanë bërë Pazar për shtëpinë së bashku. Basha në fotografinë që ka hedhur në faqen e tij në FB mban në dorë një qese me shegë, të cilat duken edhe goxha cilësore.

Nuk dihet nëse prodhimet që ka vendosur të konsumojë këtë të diel familja Basha janë vendase apo jo, por gjasat janë që ai të jetë kujdesur për një detaj të tillë, qoftë edhe për hir të ndërgjegjes së tij. Kjo pas turit që bëri në fund të vitit të shkuar nëpër Shqipëri me fermerët, duke e vënë theksin te prodhimi vendas i cili po falimenton.

Si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë Basha deklaronte atëherë se, qeveria ka braktisur në mënyrë të turpshme bujqësinë. Se subvencionet e pakta që jep kjo qeveri nuk shkojnë për fermerët, por për 4-5 oligarkë. Gjithashtu ai akuzonte se për interesa mafioze oligarke, po goditet prodhimi vendas duke i hapur portat prodhimeve të importit, të cilat janë në duart e një grushti oligarkësh.

Të gjitha këto janë të vërteta dhe ngushëllimi bëhet shpresë kur dëgjon nga goja e kryeministrit të ardhshëm, se qeveria e tij do të japë 100 milionë euro subvencione për fermerët dhe se këto para do të shkojnë direkt te ata dhe jo në xhepat e korrupsionit, të instaluar në zyrat e Rilindjes.

Sipas Bashës ‘kryeministër’ në kohën e ardhshme ende të pakryer, ky subvencion do të zerojë kostot që vijnë nga inputet dhe karburanti dhe do ta nxjerrë në treg prodhimin shqiptar të pakonkurrueshëm. Madje ai u betua, se pa u shitur prodhimi vendas nuk do të ketë asnjë prodhim importi në treg!

Kur Lulzim Basha i deklaronte këto, nuk kishte ndonjë fushatë elektorale dhe duket se programi ekonomik i qeverisë së tij hije që është thurur nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, nuk ka të sharë.

Por ndërkohë që kriza politike është transformuar, ‘ka apo nuk ka pazar të radhës’, dhe pushteti kleptokrat i Edi Ramës përbetohet se do të mbyll me sukses të paktën ciklin e tij 8 vjeçar, fermerët vendas të mbytur nga malli i importit, jo vetëm që po flakin prodhimet dhe po falimentojnë, por edhe po asgjësojnë platancionet siç po ndodh së fundmi në Korçë.

Ditën e djeshme televizioni lokal shtetëror (TVSH) i këtij qyteti transmetoi një kronikë sa të dhimbshme për fermerët, aq edhe kriminale për qeverinë.

Kronika tregon për një dukuri tragjike në zonën e Devollit ku fermerët të stresuar dhe të dëshpëruar, po shkatërrojnë pemëtoret e mollëve.

`Prodhojmë por nuk shesim, madje dalim me humbje`, thotë një prej tyre, ndërkohë që një tjetër filmohet me motosharrë në dorë duke prerë pemë të tëra në një plantacion.

Arsyet tashmë dihen dhe kryetari i opozitës i ka artikuluar qartë, në turin që bëri gjatë fundvitit të kaluar. Fermeri shqiptar ndryshe nga homologët e tyre në Serbi, Mal të Zi, Greqi dhe në gjithë Europën jo vetëm që nuk subvencionohen (ose vidhet edhe aq subvencion që është parashikuar në buxhet), por edhe konkurrohen në mënyrë të pandershme si pasojë e lehtësirave që qeveria ju ka krijuar një grushti importuesish, ndryshe nga si bën çdo shtet tjetër.

Në një kronikë tjetër të transmetuar dy ditë më parë nga `Report TV`, tregohet e njëjta situatë. Fermerët ankohen se po shkojnë drejt falimentimit dhe se tonelata të tëra molle të kultivuara, po mbetet stok duke u prishur.

'Prodhimi ka qenë shumë i mirë dhe i pastër, por tregu është shumë i dobët në karshi me mollët që ne kemi prodhuar. Tani molla merret këtu nga tregtarët me 15 lekë dhe në Tiranë molla shkon në 80 lekë; si ka mundësi. Qumështi po vjen nga Serbia, molla po vjen nga Serbia. Unë kam 2200 kuti akoma në shtëpi të pa shitura. Unë kështu po rrezikohet t'i heq fare pemët e mollës; për çfarë t'i mbaj po më kalben, shteti të jetë një rregullator i tregut', thotë përpara kamerës një fermer me lot në sy.

Vërtet si ka mundësi; molla nga Serbia, qumështi nga Serbia, mielli nga Serbia?!

Paralelisht me këtë situatë tragjike, në datën 17 Janar doli një lajm i cili kaloi pa shumë bujë e analizë.

Një ngarkesë prej 4 tonësh marmalatë mollësh në prag skadimi, u bllokua në Hanin e Hotit. Por ky `sukses` i autoriteteve shqiptare është vetëm një episod, sepse situata me qumështin, miellin etj është gati kriminale.

Pra fermerët e Korçës jo vetëm që nuk shesin dot mollët e tyre edhe pse janë shumë cilësore, por edhe i asgjësojnë platancionet. Blegtorët e shesin qumështin më lirë se ujin e autoboteve, kurse për grurë e miell shqiptarë as që bëhet fjalë. Shqipëria i ka hapur dyert Serbisë dhe vendeve të tjera, që të na mbushin tregjet jo vetëm me mollë e marmalatën që del prej tyre, por edhe me miell e qumësht të dyshimtë, e me zarzavate e dhjetra produkte të tjera bujqësore që vijnë `çuditërisht` me një çmim shumë të lirë.

Nëse Edi Rama nëpërmjet ‘Minshengenit ballkanik’ që e ka aq me qejf miku i tij Vuçiç (i cili e quan edhe `historik` për Serbinë), ka parasysh këtë lloj `lëvizje të lirë të mallrave`, atëherë rrugën e ka të shtruar por vetëm në një kalim; drejt Shqipërisë.

Si pamjet tragjike të fermerit korçar me sharrë në dorë, kemi parë më herët skena me domaten, kastravecin, pataten, qepën, luleshtrydhen, qumështin…të gjitha `Made in Albania`, që hidhen e derdhen në kanal.

Kush i detyron në të vërtetë këta fermerë të vuajtur shqiptarë që të eliminojnë ‘fëmijët’ e tyre të mbijetesës, për të cilët shpenzojnë shpesh paratë me gjak të emigracionit, derdhin djersë një vit të tërë dhe si përfundim detyrohen që të dëshpëruar ti sharrojnë e ti hedhin kanaleve?!

Gati të gjithë specialistët e ekonomisë thonë njëzëri, se dy kolonat mbi të cilat Shqipëria ka shpresa që të bëhet një vend më i zhvilluar janë Bujqësia dhe Turizmi.

Por në fakt (të paktën me bujqësinë) po ndodh një tragjedi makabre, e cila në dukje të parë vjen vetëm si pasojë e politikave të favorizimit të një grushti importuesish të pangopur, të lidhur me qeverinë.

E vërteta nuk është vetëm kaq dhe këtu nuk ka komplekse, për teori konspirative: Dikush që mendon përtej ekonomisë dhe fitimit, kontrollon edhe `gishtin` që ndez motosharrën e atij fermerit korçar për të prerë jo vetë pemët e mollëve, por edhe një nga kolonat më kryesore të Shqipërisë!