Koronavirusi/ Trump angazhon CIA-n. A duhen besuar kinezët?

Nga Maximilian Kiewel dhe Peter Tiede, BILD

‘Situation Room’ (dhoma e situatave) është qendra e komandës e Presidentit amerikan në kohë krizash. Ndodhet në bodrumin e Shtëpisë së Bardhë dhe është e mbrojtur nga përgjimet dhe sulmet me agjentë kimikë. Pikërisht këtu, Presidenti Donald Trump mblodhi këshiltlarët më të rëndësishëm në luftën kundër koronavirusit.

Në transmetim direkt: punonjës të CIA-s dhe CDC (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve). Vetë Trump postoi pamje nga video-transmetimi, ku duken ekspertët e inteligjencës.

Ai tha në një mesazh se sapo është informuar për koronavirusin në Kinë nga ‘agjencitë më të shkëlqyera të sigurisë’. Ata do të bashkëpunojnë ngushtë me Kinën. “Ne do të monitorojmë zhvillimet, ne kemi ekspertët më të mirë në botë,” vazhdoi Trump. Gjërat do jenë nën kontroll, nga mëngjesi deri vonë, çdo ditë.

A ka nevojë Presidenti amerikan për shërbimet sekrete, pasi nuk u beson kinezëve?

Ish-presidenti i inteligjencës gjermane, BND, August Hanning thotë për BILD: “Përfshirja e shërbimeve të huaja është jashtëzakonisht e rëndësishme në situata të tilla, sepse shumë shtete i fshehin epidemi të tilla. Është thelbësore që të merren informacione të pacensuruara nga vende të tilla për përmasat e vërteta të kërcënimit- për këtë arsye shërbejnë shërbimet e inteligjencës si CIA në SHBA dhe BND këtu në Gjermani”.

Eksperti vazhdon: “Në Shërbimin Federal të Inteligjencës, ne i kemi dhënë gjithmonë përparësi sqarimit të këtyre situatave. Shumë vende i fshehin përmasat e vërteta pasi kjo dëmton ekonominë, turizmin ose besimin e popullatës tek udhëheqja e tyre”.

Fakt është: Që nga e hëna, kabineti i krizës së Trump takohet çdo mëngjes dhe këshillon për masat mbrojtëse. Fotot, që Trump i shpërndau vetë në internet, tregojnë: Punonjësit e CIA-s lidhen direkt me një kamera, presidenti mund t’i shikojë në mur dhe të pyesë specifikisht për këshillat e tyre.

Përveç kësaj është krijuar edhe një task-forcë speciale për krizat. Përveç ministrit të Shëndetësisë, aty janë edhe 12 persona të tjerë, mes tyre edhe Robert O’Brien, këshiltar për Sigurinë Kombëtare të SHBA. Ai këshillon Presidentin Trump për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe është një nga të besuarit e tij më të rëndësishëm.

Edhe politikanët gjermanë janë skeptikë

Politikanët gjermanë gjithashtu kanë shprehur skepticizmin e tyre së fundmi për shifrat dhe informacionin e shpërndarë nga qeveria kineze. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha për BILD se është e vështirë të përcaktosh nga larg se sa i besueshëm është informacioni.

Kurse eksperti shëndetësor i SPD, Karl Lauterbach, kritikoi në BILD: “Kinezët fillimisht u përpoqën që të mos jepnin informacion dhe ndryshuan strategji vetëm kur virusi nuk mund të mbahej më sekret”.