'Prenga ishte në resort'/ 'Zbërthehet' një i arrestuar, zbardhet roli i të akuzuarve

5 personat e arrestuar në lidhje me pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës dolën sot para gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me vlerësimin e masës së sigurisë.

Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri u arrestuan gjatë operacionit të së hënës, që forcat RENEA zhvilluan në rrethinat e Shijakut, mes të cilëve edhe babai e vëllai i Altin Hajrit. Ky i fundit si kreu i grupit, ndërsa është shpallur në kërkim. Gazetarja Klodiana Lala e News24 pohoi se policia dhe prokuroria kanë arritur që të zbardhin rolet e personave të arrestuar.

Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri dhe Olsi Turja, akuzohen për mbajtje peng të personit dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Festim Bezhdili, që u kap në Kavajë, akuzohet për fshehje dhe asgjësim të trupit të pajetë të Prengës.

Sipas burimeve të ABC News mësohet se në procesverbalet që policia ka hartuar në ngarkim të tyre, ata nuk janë dakord me akuzën e ngritur nga prokuroria dhe nuk kanë pranuar të jenë pjesëmarrës të pengmarrjes së Jan Prengës.

Sipas burimeve një prej të arrestuarve ka pranuar të bashkëpunojë deri diku me prokurorinë. Ai ka pranuar se trupi i Jan Prenga ka mbërritur në resortin në Shijak por më tej nuk mësohet se çfarë ka deklaruar tjetër ky person.

Gjatë prezantimit të gjeneraliteteve në seancën e sot me gjyqësore nga gjykata rezultoi se Leonard Hajri është i dënuar edhe më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali.

49-vjeçari Prenga u mor peng, u dhunua dhe u rrëmbye më 17 janar, në Kamëz, por vetëm më 28 janar, policia konfirmoi vdekjen e tij nga humbja e gjakut, pas dhunës e torturave. Pavarësisht kërkimeve, deri më tani nuk është arritur që të gjendet trupi i viktimës, ndërsa kërkimet janë shtrirë në zonën e Shijakut.