FOTO/ Koronavirusi kalon SARS-in/ Mbi 8200 të prekur në 22 vende të botës, por...

Sa i përket personave të infektuar, koronavirusi ka kaluar virusin e famshëm të SARS-it në 2003. Deri tani, sipas shifrave zyrtare të OBSH, 8287 persona nga e gjithë bota numërohen të prekur nga virusi që po mban në ankth mbarë globin.

SARS-i numëronte në vitin 2003 8098 të prekur në 17 vende të botës, por shkaktoi 774 viktima.

Ndërsa Koronavirusi në pak ditë është përhapur në 22 vende por vdekjet janë të gjitha në Kinë, 171, shumë larg nga bilanci i SARS.

Koronavirusi i përcaktuar shkencërisht si "2019-nCoV", u shfaq në mes të muajit janar në Wuhan të Kinës pasi disa njerëz shfaqën pneumoni. Vaksianat nuk bënin efekt tek njerëzit e prekur me këtë virus dhe Kina u alarmua pasi kuptoi se kishte të bënte me diçka serioze dhe vdekjeprurëse.

Nga Wuhan, virusi në disa ditë u përhap në të gjithë Kinën, vendet fqinje duke kapërcyer edhe oqeanet, në Australi, SHBA dhe Europë. Amerika e Jugut dhe Afrika nuk kanë shpallur ende ndonjë të prekur me koronavirus.

Sa i përket rajonit të Ballkanit, dyshimet janë në Greqi, Turqi, Bullgari dhe Rumani, por ende asnjë i diagnostifikuar si i prekur.

Ndërsa Shqipëria fatmirësisht, ngelet ende e pastër teksa shtetasit që janë kthyer nga Kina nuk kanë rezultuar me koronavirus.