Barriera lundruese në det/ Greqia planifikon masa drastike për migrantët

Për të parandaluar mbërritjen e migrantëve dhe refugjatëve nga Turqia, Greqia po planifikon të vendosë një barrierë lundruese në Detin Egje, sipas ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Panagiotopoulos.

Më shumë se një milionë refugjatë sirianë dhe migrantë të tjerë, gjatë viteve të fundit ka përdorur Greqinë si një portë hyrëse për në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja me Turqinë ka ulur ndjeshëm numrin e refugjatëve që nga viti 2016, por ishujt grekë ende po përballen me kampe të mbipopulluara.

Sipas informacioneve, autoritetet greke po planifikojnë që ta blejnë pengesën me gjatësi 2.7 kilometra e cila do të vendoset në det – jashtë ishullit të Lesbos – ku gjendet kampi i mbipopulluar Moria.

Qeveria tashmë ka përgatitur dokumentin, përmes të cilit fton kompanitë ofertuese të bëjnë propozimet për shitjen e pengesës.

“Ftesa për barrierën lundruese është në drejtimin e duhur. Ne do të shohim se cili është rezultati, dhe efekti i saj si parandaluese në praktikë”, tha ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos për Skai Radio.

Vitin e kaluar, 59,726 migrantë dhe refugjatë arritën në brigjet e Greqisë, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.