Pse po flitet kaq shumë për zgjedhjet e parakohshme këto ditë?

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, deklaroi në një intervistë së fundmi se nëse reforma zgjedhore mbaron në mars, në tetor pritet të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai nuk është i vetmi që shprehet se Shqipëria mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë. Gazeta Shekulli shkruante një ditë më parë se Edi Rama do i shpallë zgjedhjet e parakohshme në kongresin e marsit.

Edhe të tjera shkruajnë se vendi po shkojnë drejt zgjedhjeve të reja, pas nisjes së punës për reformën zgjedhore.

Zyrtarisht asgjë nuk është thënë për këtë çështje. Disa zëra flasin për zgjedhje të parakohshme lokale. Të tjerë thonë se mund të ketë dy palë zgjedhje në një ditë, edhe lokale, edhe të përgjithshme. Pranimi i një padie nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e zgjedhjeve lokale ka shtuar zërat se ata e kanë marrë ‘sinjalin’ e duhur nga ndërkombëtarët.

Por nuk është vetëm situata politike që ka shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme. Edhe situata e vështirë ekonomike dhe sociale në vend ka nxitur spekulimet se vendi mund të shkojë drejt kutive të votimit. Tërmeti, që vazhdon të trondisë shqiptarët, vetëm ka shtuar pasiguritë ekonomike dhe sociale, bashkë me dëshpërimin e popullatës.

Deri më tani dihet se ka nisur punën Këshilli Politik për reformën zgjedhore, kurse opozita po lë të kuptohet se mazhoranca synon zvarritjen edhe të kësaj çështje. Fakt është se shumë shpejt do të rishtrohet në tryezë çështja e çeljes së negociatave me Shqipërinë. Gjermania insiston për një nisje të shpejtë, çka nënkupton edhe miratim e zbatim të reformës zgjedhore me votime të reja. Kurse Franca vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj për reformim të procesit të anëtarësimit në BE. Një dokument i shumëpritur nga Komisioni Europian për këtë çështje është shtyrë.

Një gjë është e sigurt, se pranvera do të ketë zhvillime interesante.