Simona Halep dhe Garbine Muguruza kualifikohen në gjysmëfinale të Australian Open

Tenistja rumune Simona Halep dhe ajo spanjolle Garbine Muguruza janë dy gjysmëfinalistet e fundit të grand slam të Australian Open për femra.

Ato fituan sot në ndeshjet e fundit çerekfinale dhe do të përballen mes tyre në gjysmëfinale. Bëhet fjalë për dy “ish-numrat 1” në botë, që tashmë synojnë të rikthehen sërish në majën e këtij sporti.

Simona Halep fitoi me lehtësi 2-0 (6-1, 6-1) ndaj estonezes Anett Kontaveit. Një ndeshje që zgjati rreth 60 minuta, me rumunen që pati epërsi gjatë gjithë kohës, duke triumfuar falë përvojës së saj. Po 2-0 (7-5, 6-3) fitoi edhe Garbine Muguruza ndaj ruses Anastasia Pavlyuchenkova.