SPAK u ngrit për dosje si ajo 184, jo për denoncime online

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, bëri të ditur sot se nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim dosjen ‘184’, e cila është cilësuar si një ‘patate’ e nxehtë në dorën e drejtësisë shqiptare.

Vendimi ka befasuar shumëkënd, për shkak se SPAK besohej se është ngritur pikërisht për një dosje të tillë, ku përmenden kryeministri, ish-ministrat, deputetë të fuqishëm, zyrtarë vendorë dhe kriminelë të njohur.

Jo vetëm kaq, por hetimi i krimit zgjedhor është një kërkesë e Bundestagut gjerman dhe aleatëve tanë perëndimorë për të përparuar integrimin e Shqipërisë.

Përgjimet e kësaj dosje ia dolën të trondisin jo vetëm opinionin publik shqiptar, pasi u botuan edhe nga gazeta më e madhe europiane, gazeta BILD në Gjermani.

Pavarësisht se nëpër redaksitë e Tiranës kanë mbetur të befasuar nga vendimi, opinioni publik prej kohësh nuk ka ndonjë besim se SPAK do të qullosë ndonjë gjë. Memet e shumta të faqeve online e tregojnë këtë gjë. Edhe etiketimi A-SPAK nuk është i paqëllimshëm nga personazhet viralë të Shqipërisë, siç është mjeshtri Bujar Kapexhiu.

Gjithçka vjen pasi SPAK duket se ka zgjedhur populizma për të treguar se po punon, duke ngritur platforma online ku mund të denoncohet krimi dhe korrupsioni, a thua se SPAK do të shqyrtojë çdo dosje që do i vijë. Kjo histori qesharake shkon shumë larg misionit të vërtetë të SPAK, që është shqyrtimi i dosjeve më të rëndësishme në vend, që rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve dhe të ardhmen europiane të vendit. Ata duhet të mbjellin besim dhe frikë, në vend që të pretendojnë se do monitorojnë çdo shkelje ligji në vend. Deri më tani nuk kanë arritur asnjërën nga të dyja...