Përfundon takimi ‘final’ mes VV dhe LDK, nuk njoftohet marrëveshje

Ka përfunduar edhe takimi ‘final’ mes delegacionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që zgjati më shumë se dy orë në ambientet e kuvendit.

As VV dhe as LDK nuk kanë deklaruar asgjë nëse është arritur ndonjë marrëveshje për formimin e qeverisë, apo është rënë dakort që nuk ka marrëveshje mes tyre.

Lideri i LDK-së Isa Mustafa, pas takimit nuk ka komentuar për mediat asgjë nga takimi, ndërsa raportohet se Albin Kurti i VV-së ende ndodhet në Kuvend.

Para takimit, Mustafa u shpreh optimist për arrtijen e marrëveshjes me Vetëvendosjen, por siç duket një gjë e tillë nuk ndodhi as ditën e sotme.

Sipas qëndrimeve paraprake mes tyre, posti i kryeparalamentarit i ka lënë dy partitë të bllokuara, kjo pasi LDK po insiton që ta ketë këtë post dhe Glauk Konjufca i VV-së të dorëhiqet.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi sot se LDK nuk heq dorë nga kërkesat e fundit që ia kishte parashtruar Vetëvendosjes.

Ndërkohë sot është raportuar se VV i ka ofruar një post ministror më shumë LDK-së, por këta të fundit nuk janë pajtuar.