Mirë moderatorin gjerman, po për Djokoviç pse nuk reagon Rama?

Markus Lanz është ‘italiani’ i preferuar i gjermanëve.

Moderatori i programit me emrin e tij në ZDF, kishte ftuar në studio ministrin gjerman të transporteve, një personazh të cilin gazetarët duan ta ‘hanë të gjallë’.

Në bisedë e sipër, Markus i drejtohet atij duke i thënë se ky koment është e nivelit të lojtarëve mashtrues shqiptarë. Ai i referohej lojës me kupa, e famshme për hileqarët.

Komentet e tij përfunduan në faqen e parë të gazetës së njohur për shqiptarët, BILD. Ajo i quajti këto fyerje raciste dhe ksenofobike. Ato që thuhen nëpër programet televizive në Gjermani nuk para përfundojnë nëpër portalet e lajmeve, siç ndodh rëndom këtu në Shqipëri.

Natyrisht edhe programet e mbrëmjeve politike në Gjermani nuk krahasohen askund me zallamahinë televizive në Shqipëri, sidomos të enjteve, kur nuk e merr vesh i pari të dytin dhe kur lajm bëhesh vetëm kur e ngre zërin dhe kur shan tjetrin.

Por edhe në Gjermani ka një shqetësim në rritje, siç thekson Instituti Gëte, se emisionet politike po kthehen më shumë në spektakle argëtimi, duke e humbur thelbin e tyre. Prandaj është Marks Lanz ka më shumë statusin e një prezantuesi argëtues.

Kjo duhet të jetë edhe arsyeja se përse ai përfundoi në faqen e gazetës BILD pas komenteve për shqiptarët.

Ajo që të dhemb në këtë histori është fakti se salla duartrokiti pasi ai bëri komentet fyese për shqiptarët. A është ky tregues se atyre u pëlqeu mënyra se si ishte ndërtuar batuta për ministrin? Apo është diçka më e thellë, një ndjenjë përçmimi dhe racizmi ndaj shqiptarëve?

Kjo nuk mund të thuhet me saktësi. Fakt është se imazhi i shqiptarëve në Perëndim nuk është i mirë dhe për këtë mund të bëhen dhjetëra analiza. Edhe etiketimet raciste ndaj shqiptarëve në media nuk janë gjë e re. Para disa kohësh kam bërë një shkrim bazuar tek këto krahasime me natyrë raciste që i bëhen Shqipërisë nga mediat e huaja, duke thënë se jemi bërë etalon i së keqes.

Një praktikë e tillë ekziston edhe në median dhe politikën shqiptare, por këtu nuk bie shumë në sy. Për shembull, kur publikohet një raport ndërkombëtar dhe kur shohim renditjen e Shqipërisë, fjalët e para në tituj janë se Shqipëria është më keq se Afrika, se kemi rënë poshtë Etiopisë, se jemi më rëndë se Haiti, etj.

Pikërisht në kulmin e zhurmës për komentet e Markus Lanz, ai që reagoi i pari, ishte kryeministri shqiptar. Natyrisht një kryeministër duhet të mbrojë imazhin e shqiptarëve dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.

Sikundër një kryeministër ka ndoshta barrën më të madhe për të përmirësuar imazhin e shqiptarëve dhe pa kurrfarë dyshimi mund të thuhet se askush më shumë se ai nuk ka bërë kaq shumë për të prishur imazhin e Shqipërisë. Prej tij e kemi etiketmin si narkoshtet, prej tij Shqipëria është një regjim autokratik dhe prej tij sot integrimi është në një situatë anadollake.

Prapë është kaq ironike të shohësh Edi Ramën të reagojë për çështjen e Markus Lanz në Gjermani dhe të mos flasë asnjë fjalë për ushtrinë e kryebashkiakëve të inkriminuar që ka zgjedhur vetë për të marrë pjesë në votime pa garë. Pyetja që lind është se çfarë presioni kishte ai për të zgjedhur kaq shumë kriminelë në një votim ku ishte vetëm partia e tij?

Pastaj gjithë opinioni publik po zien për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.

Videoja ku thuhet se ai po merr kokainë, ka shokuar shqiptarët.

Le të supozojmë se atij nuk po i bëhet vonë për atë se çfarë ndodh në Shqipëri.

Po nëse i pëlqen që të kapet me personazhe të famshëm, për të marrë pak nga fama e tyre në këto reagime, atëherë pse nuk e tha asgjë për tenistin serb, Novak Djokoviç, që u filmua duke kënduar kundër Kosovës me tone nacionaliste primitive?

Historia e tij bëri bujë ku e ku më shumë se kjo deklaratë e Markus Lanz, të cilin në Shqipëri nuk e njeh më shumë se një grusht njerëzish.

Reagimi ndaj Djokoviç do ishte edhe në momentin e duhur, kur e gjithë klasa politike kosovare e ka lëçitur dhe opinioni publik atje nuk duan t’ia shohin sytë Edi Ramës. Tashmë që homologu i tij e akuzon për tradhti, mund të kishte thënë ndonjë fjalë edhe për koret raciste ndaj shqiptarëve në Beograd, njësoj si me koret naziste ndaj hebrenjve.

Asgjë, asnjë fjalë.

Se përse nuk e bën këtë gjë, jeni të lirë ta komentoni si të doni. Por një gjë është e sigurt.

Mos mendoni se e ka merakun shumë te imazhi i shqiptarëve.

Aq më tepër ta ketë mendjen te hallet e tyre.