Klopp: E kisha harruar sa pikë përpara jemi

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka zbuluar se ai kishte harruar se sa epërsi të madhe ka skuadra e tij ndaj kundërshtarëve në garën për titullin e Premierligës, para fitores së djeshme kundër Wolves.

Një gol i shënuar në minutën e 84-të të ndeshjes nga Roberto Firmino i dha Liverpoolit fitoren me rezultatin 2-1 kundër Wolves dhe epërsinë prej 16 pikëve në krye te tabelës së Premierligës.

Por, Klopp tha se e kishte harruar diferencën e madhe të pikëve për shkak të agjendës së ngarkuar me ndeshje.

“Kur ka qenë presioni më i madh mbi ne, këtë vit apo vitin e kaluar? Njerëzit janë të tillë. Unë nuk mendoj për këtë gjë. Mua m’u desh të pyes dikë se sa pikë përpara jemi, kjo është e vërteta. Unë me të vërtetë harrova gjatë javës, për shkak të numrit të madh të ndeshjeve. Nuk kisha menduar për pikët.

Ne duam të fitojmë ndeshje futbolli dhe të njëjtin qëllim e kemi që kur unë erdha këtu para disa viteve. Ky është presioni i vërtetë dhe po, unë e ndiej këtë. Përveç kësaj, s’mendoj për asgjë. Është vetëm futboll”, deklaroi tekniku gjerman i Liverpoolit.