Paguanin me para falso në karburante, arrestohen dy 19-vjeçarët

Policia e Tiranës ka vënë në pranga, falë një operacioni të posaçëm, dy 19-vjeçarë, që ishin kthyer në makthin e pikave të karburanteve dhe kioskave. Dy të rinjtë paguanin me para falso dhe “godisnin” në zona të ndryshme të Tiranës.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë një operacioni të koduar “Euro 2020”, arrestoi në flagrancë U. M., 19 vjeç dhe N. P, 19 vjeç, të dy banues në Tiranë;

Sipas Policisë, këta të dy dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe në vende të ndryshme të kryeqytetit, kanë përdorur kartëmonedha false në disa pika karburanti dhe kioska. Atyre iu sekuestruan kartëmonedha të falsifikuara dhe dy aparate celulari.

Dosjet e tyre iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Falsifikimi i monedhave", kryer në bashkëpunim.