Njeriu më i pasur VS monarku më i fuqishëm/ Triller me përgjime dhe foto nudo

Rikthehet në skenë trilleri mes njeriut më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe monarkut më të fuqishëm, sauditit Mohammed Bin Salman.

Mediat raportojnë se telefoni i Bezos është përgjuar në vitin 2018, pasi ai mori një mesazh malinj në Whatsapp nga princi i kurorës së Arabisë Saudite. Sipas Guardian, mesazhi që përmbante një kod malinj u dërgua më 1 maj 2018. Brenda pak orësh, një sasi e madhe të dhënash u vodh nga telefoni i Bezos.

Pak muaj më vonë, tabloidi ‘National Enquirer’ publikoi për herë të parë aferën e Bezos me gazetaren Lauren Sanchez.

Bezos akuzoi gazetën për shantazh dhe zhvatje, duke thënë se e kanë kërcënuar se do i publikojnë fotot nudo të tij dhe Sanchez.

Në një postim në atë kohë, Bezos hodhi dyshime për lidhjet e gazetës me Arabinë Saudite. Ai spekuloi se Arabia Saudite është tërbuar me të për shkak të mbulimit që po i bën gazeta e famshme ‘Washington Post’, në pronësi të Bezos, çështjes së vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili punonte si kolumnist për ‘Washington Post’.

Edhe një raport i specialistëve të OKB arrin në përfundimin se telefoni i Bezos është hakeruar nga Arabia Saudite.

Në një reagim, Arabia Saudite i ka mohuar këto pretendime. Sipas tyre, këto lajme janë absurde.

Përveçse themelues i gjigandit Amazon, Bezos është pronar i gazetës Washington Post.

Ekspertët thonë se është lehtësisht e mundur që të hakerosh telefonat përmes mesazheve në Whatsapp.