Martini: Mungesat e blerjeve na prishën planet ndaj Laçit

Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur pas humbjes 1-0 ndaj Laçit e vlefshme për Kategorinë Superiore.

Në një intervistë për mikrofonin e Supersportit, Martini i zhgënjyer pranoi humbjen.

“Pas dy ndeshjeve të fituara, donim që edhe ndaj Laçit të merrnim 3 pikët. Laçi ka një ekip simpatik dhe unë jam i zhgënjyer. Laçi e meritoi fitoren, – tha fillimisht trajneri Martini.

Sulmi

Kulibali nuk u federua dhe Martinit iu prishën planet: “I bëra planet me atë në fushë, madje edhe lojtarët që nuk ishin përgatitur që të luanin, u kapën paksa në befasi. Por, nuk është justifikim. Na duhet ë të nxjerrim mësime dhe të bëjmë kthesën duke filluar që nga ndeshja e radhës.  Janë afruar Kulibali, Hepaj e Kruja. Tri blerje dhe asnjë nuk luajti. Pritej që njëri të ishte në fushë dhe tjetri të futej gjatë lojës, por ishte e pamundur që ata të federoheshin. Besoj e kemi zgjidhur problemin e sulmit dhe deri në fund të muajit do të ketë të tjera përmirësime në reparte të tjera”.

Ndërprerja

Martini i pyetur nëse i prishi punë ndërprerja e garës, duke ditur vrullin e skuadrës, ka pohuar: “Do të ishte mirë që të ishte pa ndërprerje, por nuk janë në dorën tonë. Ne duhet që të shohim përpara”, – tha trajneri i skuadrës së Teutës, Edi Martini pas ndeshjes së humbur me Laçin, ku u ndje i zhgënjyer.