Borchard gjen zgjidhjen perlë, për të luftuar korrupsionin: Nëse doni që ta luftoni, ndaloni së qeni të korruptuar!

Ndërkohë që të gjithë shqiptarët po shpresojnë e po presin që pas implementimit të Reformës në Drejtësi, të vendoset më në fund shteti ligjor dhe të marrë fund revanshi i korrupsionit dhe i krimit, Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, ka një ide gjeniale dhe origjinale. Sipas tij e vetmja zgjidhje është, që ata që bëjnë korrupsion të ndërgjegjësohen dhe të pushojnë së bëri këtë gjë. Këto fjalë I ka thënë gjatë një Konference të zhvilluar ditën e sotme me temë zgjedhjet e lira në vendin tonë.

“Nëse dëshiron të ndalosh korrupsionin, duhet të ndalosh së qeni i korruptuar. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme. ODIHR-i e ka theksuar këtë në disa raporte. Kjo nuk ka ndodhur pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet. Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen. Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota”, ka parashtruar zgjidhjen e tij ambasadori Bernd Borchardt.