‘Refuzoni profetët e apokalipsit’/ Thirrja e Trump në Davos

Presidenti amerikan kritikoi ata që i quajti ‘profetët e apokalipsit’ për klimën, teksa mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ai bëri thirrje që të refuzhen predikimet për apokalipsin dhe shtoi se Amerika do të mbrojë ekonominë e saj.

Sipas BBC, Trump nuk iu referuar direkt aktivistes Greta Thunberg, e cila e nisi seancën me një fjalim ku bëri thirrje për të shmangur ‘apokalipsin klimatik’.

Shkatërrimi i mjedisit është në krye të axhendës në samitin e këtij viti.

Trump tha nga resorti i skive në Zvicër se është koha për optimizëm, jo për pesimizëm.

“Këta alarmues kanë kërkuar gjithmonë të njëjtën gjë- fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetëve tona”.

Më herët, Greta Thunberg tha në një panel se pak a shumë asgjë nuk është bërë për rrezikun që i kanoset klimës globale.

Adoleshentja 17-vjeçare ishte në sallë kur foli Trump, por nuk komentoi për median.