Kapet në Tiranë 'Eskobari turk', pjesë e bandës që trafikoi 14 miliardë euro drogë

Policia e Shtetit njofton se është arrestuar në Tiranë një shtetas 53-vjeçar nga Turqia, i cili ishte i shumëkërkuar nga drejtësia franceze, si një nga drejtuesit e familjes kriminale Baybesin, që si bos të vetin kishte shtetasin Hysein Baybesin, i konsideruar disa vite më parë si “Eskobari i Evropës”.

Faruk Baybesin, i dënuar me 30 vite burgim për çështje të trafikut të heroinës, kërkohej nga gjykata e “Loire Atlantique”, që e ka shpallur fajtor për pjesëtar në organizatën kriminale që trafikonte në Evropë heroinë. Drejtësia franceze, përmes dokumenteve që i ka përcjellë me urgjencë, kërkon dorëzimin e Baybesin me argumentin se përgjatë viteve 1994- 1995 ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.

Gjykata e Tiranës, në funksion të kërkesës së Francës, ka vendosur arrest me burg 40 ditë për Faruk Baybesin, i cili tentoi të hynte në Shqipëri për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet, raporton TCH. Ai ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar Mahmut Baybesin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut të etiketuar “Eskobarët e Evropës”.

Të ardhurat e grupit nga heroina janë vlerësuar në 14 miliardë Euro.