Marijuana dhe kokaina, por heroina nga Azia 'po bën kërdinë'

Në raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është cilësuar si një vend tranzit i kokainës së pastër me shumicë nga vendet e Amerikës së Jugut dhe asaj Qendrore e Latine. Vetëm në raportin e fundit, atë të vitit 2019, i cili i referohet vitit paraardhës listës së kokainës dhe marijuhanës ju shtua edhe heroina.

Sipas të dhënave të CIA, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje të konsiderueshme  të kokainës dhe heroinës e cila kalon transit nëpër Shqipëri për të përfunduar në vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore.

“Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi”, shkruhet tekstualisht në këtë raport.

Por ndërkohë që në vendin tonë më shumë i është mëshuar faktit të shndërrimit të Shqipërisë në një bazë logjistike të trafikut ndërkombëtar të kokainës së pastër, ditën e djeshme në raportin e saj ministria e Brendshme italiane ka zbuluar, se edhe trafiku i heroinës që vjen nga Azia dhe prodhuesi më i madh i saj Afganistani po lulëzon.

Në raportin vjetor mbi gjendjen e krimit, që  ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese  ka prezantuar në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin italian, në kapitullin për Shqipërinë konfirmohej se tashmë  Shqipëria identifikohet si vend tranzit i heroinës nga Azia Qendrore e Afganistani, drejt tregut të Europës Perëndimore.

“Krimi i organizuar shqiptar konfirmohet si ndër më aktivët në Itali e mbështetet nga grupet kriminale të ngjashme shqiptarësh aktivë në Holandë, Belgjikë,Austri, Britani e Madhe, Gjermani e Spanjë. Këto grupe kontaktojnë drejtpërdrejtë me referentët e tyre në Shqipëri në mënyrë të veçantë në aktivitete kriminale komplekse. Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës e një vend tranzit i heroinës së ardhur nga Azia Qendrore e Afganistani për tregun e Europës Qëndrore (e ashtuquajtura rruga ballkanike), thuhet në këtë raport të sapo dalë.

Pjesa më e madhe e heroinës të sekuestruar në Evropë e ka origjinën nga Afganistani, Irani dhe Pakistani. Ka dy rrugë trafikimi heroine në Evropë; korridori ballkanik dhe korridori jugor. Rreth 40 për qind e heroinës globale dhe morfinës të kapur në Evropë ka kaluar nga `Korridori ballkanik`, një prej korridoreve kryesorë për trafikimin e opiateve në botë.

E ashtuquajtura pjesa rrugore e korridorit ballkanik të trafikimit përfshin Sirinë dhe Irakun. Kjo linjë është përdorur kryesisht për kontrabandën e heroinës nga Irani dhe Pakistani për në Evropë, ose direkt ose nga kontinenti afrikan. Përveç këtij korridori trafikantët përdorin edhe të ashtuquajturën linjë të veriut që kalon nga jugu i Kaukazit mespërmes Detit të Zi.

Në një shkrim të marsit të vitit 2018 të publikuar nga `DW`, eksperti në Qendrën e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve, David Johnson, deklaronte se Shqipëria njihet si vend i prodhimit të hashashit, por ky nuk është lajm i ri. Lajm i ri nuk është po ashtu as që Shqipëria është pjesë e korridorit ballkanik të trafikimit të drogës, që vjen nga vendet e Lindjes.

Bëhet fjalë pikërisht për drogën e fortë; heroinën.

Shqipëria tashmë është një nyje kryesore e “Korridorit Ballkani” të heroinës që vjen nga Azia dhe përfundon në Europë. Madje tashmë është vërtetuar se ajo në Shqipëri, edhe përpunohet në laboratorë të mëdhenj.

Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja. Drogat opioide trafikohen nga vendet prodhuese Afganistani, Pakistani dhe Irani duke kaluar tranzit në Turqi dhe më pas në Ballkan ku vendi ynë është bërë një nga bazat më kryesore të magazinimit, ripaketimit dhe mandej të transportit detar në gjithë Europën, deri në Britaninë e Madhe dhe Estoni.