Sa e fortë është opozita iraniane?

BBC

Në kryeqytetin e Iranit, në Teheran dhe në qytete të tjera ka pasur protesta anti-qeveritare pasi autoritetet pranuan se kanë rrëzuar “në mënyrë të paqëllimshme” një avion të Ukrainës.

Disa nga protestuesit kanë hedhur slogane kundër lidershipit. Por sa e fortë është opozita në Irani dhe çfarë kërkojnë protestuesit?

Kundër kujt po protestojnë?

Turmat, që kanë dalë në rrugë në ditët e fundit, janë përqendruar në Teheran dhe qytete të tjera si Isfahan. Ato përbëhen kryesisht nga studentë dhe të tjerë nga klasa e mesme, të zemëruar nga vdekja e atyre në avion.

Ata kanë dënuar autoritetet pasi nuk kanë treguar të vërtetën fillimisht. Por sloganet janë dëgjuar edhe kundër Liderit Suprem, Ayatollah Khamenei dhe regjimit islamik.

“Shumë prej tyre kanë pasur njerëz të njohur në atë avion, pasi janë studentë që lejohen të udhëtojnë jashtë vendit,” thotë Rana Rahimpur e BBC. Po ashtu ka pak të dhëna se protestat po përqendrohen rreth një personaliteti të veçantë. “Vështirë të thuhet se ka një figurë qendrore, rreth të cilës mund të bashkohen njerëzit,” thotë Fatemeh Shams, një profesoresë iraniane në Universitetin e Pensilvanisë.

Çfarë opozite politike lejohet?

Sistemi iranian lejon zgjedhjet, por grupet politike duhet të veprojnë brenda kufijve striktë të Republikës Islamike. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, thuajse gjysma e kandidatëve u skualifikuan nga Këshilli Kujdestar i Iranit, që u bën veting për angazhimin ndaj sistemit islamik iranian.

Dhe në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, që do të mbahen në shkurt, mijëra kandidatë potencialë janë skualifikuar sërish, përfshi 90 ligjvënës aktualë.

Çdo kandidat nga grupet që kundërshtojnë Republikën Islamike, ose që duan të ndryshojnë sistemin, nuk lejohet të garojë.

Këshilli Kujdestar gjithashtu mund të ndalojë çdo kandidat për president dhe të vendosë veton ndaj çdo legjislacioni të miratuar nga parlamenti nëse vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Iranit dhe ligjin islamik.

Ayatollah Khamenei, i pozicionuar në majën e strukturës politike të pushtetit në Iran, emëron gjysmën e anëtarëve të këtij organi.

Lideri Suprem po ashtu kontrollon edhe forcat e armatosura dhe merr vendime për sigurinë, mbrojtjen dhe çështjet kryesore të politikës së jashtme.

Pra në praktikë, presidenti dhe parlamenti i Iranit- edhe nëse mbështesin ndryshimin, kanë pushtet të kufizuar.

Ka edhe lëvizje opozitare që duan autonomi më të madhe për pakicat etnike si kurdët, arabët, balukët dhe azerbajxhanasit.

Disa nga këto grupe janë të armatosur dhe kanë luftuar për dekada kundër shtetit iranian.

A ka lider opozita?

Ka pasur një lëvizje që bënte thirrje për reforma për vite me radhë, me ish-presidentin Mohammad Khatami si figurë kryesore.

Në pushtet nga viti 1997 deri 2005, Khatami solli reforma të kufizuara sociale dhe ekonomike dhe njëfarë afrimiteti me vendet perëndimore.

Më shumë ndryshime megjithatë u bllokuan nga interesat konservatore dhe Khatami vetë është mënjanuar- kurse lëvizjes së tij i është kufizuar aksesi në media.

Në vitin 2009, një sfidë e madhe për regjimin erdhi pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale, të fituara nga Mahmoud Ahmadinejad i linjës së ashpër.

Kandidatët e mposhtur, Mir Hossein Mousavi dhe Mehdi Karroubi sfiduan rezultatin dhe u bënë drejtuesit e asaj që u quajt Lëvizja e Gjelbër. Miliona dolën në rrugë duke kërkuar rimbajtjen e zgjedhjeve, por Ajatollah Khamenei insistoi se rezultati ishte i vlefshëm.

Atë vit pati reagime të dhunshme kundë rprotestuesve dhe dhjetëra mbështetës të opozitës u vranë. Shumë nga figurat kryesore të opozitës u arrestuan. Mousavi dhe Karroubi mbeten në arrest shtëpie edhe pas një dekade.

Së fundmi ka pasur protesta edhe në vitin 2017 dhe 2018 për kushtet e vështira ekonomike. Papunësia e lartë ka goditur veçanërisht fort të rinjtë.

Edhe klasa e mesme e pasur iu bashkua protestave për mënyrën se si po trajtohej ekonomia nga qeveria e presidentit Hassan Rouhani, që konsiderohet i moderuar.

Protestuesit bënë thirrje kundër liderëve të vendit dhe kërkuan rikthimin e monarkisë, të rrëzuar në vitin 1979.

Protestat shpërthyen sërish në nëntor të vitit 2019 pasi qeveria tha se do rrisë çmimin e naftës me 50 përqind për shkak të sanksioneve ekonomike të rivendosura nga SHBA.

Protestat u shtypën me dhunë. Amnesty International thotë se mbi 304 njerëz u vranë, kurse agjencia Reuters thotë se numri i kalon 1500. Autoritetet në Iran i kanë rrëzuar këto shifra. Interneti u fik në të gjithë vendin për pesë ditë.

Protestat më të fundit kanë ardhur nga baza dhe janë pa lider. Megjithatë, pavarësisht shpërthimit të protestave, qeveria ka arritur të ruajë kontrollin, duke përdorur një seri kombinimesh me veprime represive dhe kufizime ndaj figurave opozitare.