Një përkujtim nga mizoria e 'mohuar'

Ku është drejtësia? Kanë kaluar 21 vite dhe ende si shtet nuk i kemi dalë hakësh atyre që u bën thërrime e kriminelëve serbë.

Sot shënuam 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku në atë kohë bota u tmerrua nga krimi monstruoz serb, ku 45 shqiptarë u masakruan vetëm pse e deshën lirinë.

Por 21 vjet pas mizorisë serbe, përkujtimi bëhet edhe më i dhimbshëm, ngase krimi ende mohohet nga dora e atyre që e kanë shkaktuar. 

E dhimbshme kjo...Kosova sot frymon me drejtësinë e mohuar dhe kriminelët serb edhe pas kësaj kohe nuk janë goditur nga shpata e drejtësisë.

Por pse jemi kaq të pafuqishëm për ta kthyer drejtësinë ne vendin e vetë?

Ku së paku ata që u bën fli atë ditë të 15 janarit nga thikat barbare e xhelatëve serbë të prehen të qetë dhe gjaku i tyre i njomë të bëhet rreze e përjetësisë.

Ato pamje dimri u bën ankth dhe përjetime të ftohta për këdo që kishte rastin t’i shihte.

Krimi që ndodhi atë ditë janari ishte krim kundër njerëzimit, i cili për 180 shkallë ktheu vëmendjen e të gjithëve, ku zgjoi ndërgjegjen e botës së shurdhër, deri në atë kohë se në Kosovë po ndodhte gjenocid kundër njerëzimit.

Kjo tashmë është e vulosur në vëmendjen e secilit, por pse u desh të ndodh ky krim barbarë që të zgjohej bota duke parë fytyrën kriminale të kasapit serb, Sllobodan Millosheviq?

Pikërisht makineria e tij kriminale me 15 janar të vitit 1999, tmerroi botën nga ajo që ndodhi dhe ndërroi kursin e saj human por edhe politik karshi nevojës për intervenim mbi caqet gjenocidale serbe.

E derisa shkruajmë këta rreshta, pa mëdyshje, nuk mund të mos kthehemi në retrospektivë ku ende në vëmendje ruhen kujtimet e frikshme të asaj kohe.

Ku si 13 vjeçar, derisa shikoja pamjet e tmerrshme, e freskët ka mbetur lugina mbi kodrën e fshatit Reçak, ku trupat e pajetë dukeshin të ‘therur’ një mbi një, që si dëshmitar të kohës kishin ambasadorin William Wolker.

 E derisa pamjet e tilla me dilnin para syve nga ekrani i televizionit, lotët me shkonin zvarrë dhe nuk mund të pajtohesha se kjo mund të ishte vetëm një skenë filmi e zhanrit horror, por në fakt ajo bëhej shumë reale, e cila shfaqte mizorinë me çnjerëzore.

E sot derisa përkujtohet 21- vjetori i kësaj masakre, prapë me kujtohen ato pamje, dhe si një fëmijë i asaj kohe, nuk e ndiej ende vetën të qetë, se si pamjet e tilla ende mohohen nga dora e gjakosur e atyre që i shkaktuan.

Historia nuk mund të shkruhet, duke u mohuar, e mizoria një ditë do të pranohet edhe nga ata që e shkaktuan.

Mbetemi me shpresë që do ta gëzojmë atë moment…së bashku me dëshmitarin e asaj kohe, ish-ambasadorin e OSBE-së, i cili me plot gojën tha: ‘Në Reçak është kryer krim kundër njerëzimit’. /Syri.net Kosova