Kritikat irracionale ndaj Bashës

Kritikat ndaj Lulzim Bashës se pse e uli opozitën në reformën zgjedhore janë ushqim i mirë për turmat. Por politikisht, rikthimi i Partisë Demokratike në rrugen institucionale ishte gjeja më racionale për t’u bërë.

Sot qeveria e ka humbur maxhorancën në popull. Në këto kushte opozita duhet të ketë vetëm një mision dhe qëllim. Të çojë vendin sa më shpejt në zgjedhje.

A ka rrugë tjetër që një parti politike të vijë në pushtet përveç zgjedhjeve? Sigurisht që po. Pushteti mund të merret përmes dhunës, revolucionit ose grushtit të shtetit. Dhe një parti që kërkon të marrë qeverinë në këtë formë, nuk ka pse të ulet në tryezën zgjedhore. Thjesht armatos popullsinë dhe vë shqiptarët të vriten me shqiptarët.

Nëse kjo është ajo që kërkojnë militantët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, atëherë Lul Basha duhet të japë dorëheqjen sepse ai nuk përfaqëson më vullnetin e mbështetësve të PD-së. Zgjidhet një kryetar i ri me background të fortësh dhe opozita ka të gjithë të drejtën e saj për t’i hyrë aventurave të rrezikshme.

Kjo është rruga që mund të eksitojë radikalët. Rruga tjetër është ajo e zgjedhjeve paqësore. Dhe një opozitë mund të shkojë në zgjedhje në dy mënyra. Ose duke pranuar totalisht rregullat që i vendos kundërshtari, ose duke thënë- e madje imponuar fjalën e saj në tryezën ku vendosen rregullat.

Këtë bëri opozita një ditë më parë. Dhe politikisht, matematikisht kjo ishte gjëja më racionale që mund të bënte.

Kritikat ndaj opozitës mund të qëndrojnë në çdo kohë. Gjithsekush ka të drejtë të kritikoje. Por sot opozita dhe Lulzim Basha kanë vetëm një mision. Të çojnë vendin në zgjedhje duke pasur maksimumin e garancive që zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme. Aventurat i eksperimentoi një herë në zgjedhjet e shkuara lokale. Dhe edhe pse ai vendim i eksitoi radikalët njësoj siç mund t’i eksitojë bojkoti i reformës zgjedhore sot, rezultatin e panë të gjithë.