‘Bie’ marrëveshja me Iranin/ Johnson: Ta zëvendësojmë me ‘planin Trump’

Fuqitë europiane aktivizuan një mekanizëm dyshimi për marrëveshjen bërthamore me Iranin, pasi ky vend u tërhoq nga angazhimet e tij.

Pas tensioneve të fundit me Shtetet e Bashkuara, Irani vendosi të mos pranojë kufizimet për prodhimin e uraniumit. Për ekspertët, ky ishte një hap drejt krijimit të karburantit bërthamor, por edhe armëve atomike.

Sipas BBC, vendimi i Francës, Gjermanisë dhe Britanisë tregon se marrëveshja bërthamore me Iranin po shkon drejt ‘vdekjes’.

Kjo marrëveshje e nënshkruar edhe nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, nuk u pranua nga presidenti aktual i SHBA, Donald Trump.

Pasi nuk e njohu marrëveshjen, Trump riktheu sanksionet e ashpra ndaj Iranit.

Nga ana tjetër, kryeministri anglez, Boris Johnson ka thënë se marrëveshja e vitit 2015 me Iranin duhet zëvendësuar me ‘marrëveshjen e Trump’.

Ai tha se marrëveshja e parë kishte probleme.

Vetë Trump është angazhuar përpara amerikanëve dhe botës për një marrëveshje të re me Iranin, duke u zotuar se sa kohë të jetë ai president, Teherani nuk do prodhojë kurrë armë bërthamore.