VIDEO/ Opozita mandaton 2 përfaqësues për reformën zgjedhore

Opozita ka vendosur të mandatojë Oerd Bylykbashin nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasilin nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të dakordësuar me Partinë Socialiste përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Të dy përfaqësuesit e opozitës parlamentare do të takohen me Damian Gjiknurin nga Partia Socialiste dhe Rudina Hajdarin nga opozita parlamentare, për të diskutuar në lidhje me procesin e Reformës Zgjedhore. 

Pasi bëri publik emrat e dy negociatorëve nga ana e opozitës jashtë Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi. “Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga ana e Partisë Socialiste”, tha Basha.

“Sot, opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen dhe përfundimin e reformës zgjedhore dhe mandaton zotin Bylykbashi dhe Vasili për të dakordësuar mekanizimin për ecjen përpara”.

Pjesë nga deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha:

Prej muajit tetor, opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm gjithpërfshirës dhe transparent për të përfunduar reformën zgjedhore, që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Prej muajit shtator – ky është tashmë dhe një kusht i patejkalueshëm i parlamentit gjerman, i Bundestagut – kanë kaluar katër muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër.

Sot Opozita e Bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të Reformës Zgjedhore dhe mandaton zotin Oerd Bylykbashi dhe zotin Petrit Vasili për të dakortësuar mekanizmin me ecjen përpara me Reformën Zgjedhore dhe miratimin e saj, duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në tetor.

E para, krijimin e një mekanizmi gjithpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e forcave politike, mundësinë dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror, qytetar dhe të grupeve të Interesit.  

Së dyti, miratimin me konsensus, jashtë parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore të çdo propozimi për Reformën Zgjedhore.

Së treti, kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus, pa asnjë ndryshim, në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm, kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmenda për të dakortësuar me palën tjetër në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë për të përfunduar një orë e më parë Reformën Zgjedhore dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si rruga e vetme për daljen nga kriza politike.

Dua ta falenderoj faktorin ndërkombëtar, në veçanti përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë për të shtyrë drejt një produkti që është vonuar katër muaj dhe s’duhet të vonohet më asnjë ditë dhe i bëj thirrje përfaqësuesve të palës tjetër të mos vonojnë asnjë çast dakortësinë për këtë instrument, për t’ju dhënë shqiptarëve Reformën Zgjedhore që i hap rrugë zgjehdjeve të lira dhe të ndershme.

Çfarë garancie keni marrë nga mazhoranca zoti Basha, që u bindët në harkuan kohor të 24 orëve nga takimi i fundit që patët me ambasadorin britanik, për t’u ulur në një tryezë që nuk vonon, në orën 13:00 është thirru nga Komisioni i Posaçëm?

Basha:  Nuk ka një tryezë nga Komisioni i Posaçëm...

Gazetarja: Sapo është njoftuar.

Basha: Nuk ka një tryezë nga Komisioni i Posaçëm – mund të jetë diçka tjetër, ne me ndihmën e faktorit ndërkombëtar kemi mundësuar një proces në të cilin të dakortësohen mbi propozimin tonë prej tetorit. Propozimi i tetorit është i qartë: Gjithpërfshirje, në një instrument jashtëparlamentar, në një tryezë të partive politike. Çdo takim me konsensus dhe Tranparencë para gjithë qytetarëve dhe gjithpërfshirje të çdo faktori tjetër, politik dhe jopolitik dhe Kalim në seancë plenare pa asnjë ndryshim të produktit të dakortësuar. Këto janë mandatet e qarta dhe të pandryshueshme me të cilat dy përfaqësuesit tanë do të ulen pas asaj që shpresojmë do të ketë dhënë efekt pas një qëndrimi të qartë e të prerë të komunitetit ndërkombëtar, duke nisur me Rezolutën e Bundestagut dhe duke vazhduar me qëndrimet e përfaqësuesve që sapo falenderova përmes jush.

Vijon...