Irani: Po arrestojmë përgjegjësit për rrëzimin e avionit

Autoritetet në Iran njoftojnë se kanë nisur arrestimet e personave që konsiderohen përgjegjës për rrëzimin e avionit të “Ukrainian Airlines”, javën e kaluar, ku humbën jetën 176 pasagjerë dhe pjesëtarë të stafit.

Ende nuk bëhet me dije identiteti apo pozicioni i personave të arrestuar për ngjarjen e rëndë, por sipas zëdhënësit të sistemit të drejtësisë Gholamhossein Esmaili, ata kanë një rol kyç.

Autoritetet iraniane për disa ditë e mohuan të kenë rrëzuar avionin ukrainas, por më pas e pranuan përgjegjësinë duke thënë se ngjarja ishte tërësisht aksidentale. Ata deklaruan se do të zhvillohen hetime dhe personat përgjegjës do të vihen përpara drejtësisë.

Avioni i “Ukrainian Airlines” u rrëzua nga një raketë pasi u ngrit nga aeroporti i Teheranit, vetëm disa orë pas sulmeve iraniane ndaj bazave ushtarake amerikanë në Irak.

Ngjarja provokoi protesta në Iran. Video të postuar në internet tregojnë studentët pranë universiteteve në Teheran dhe Isfahan të hënën duke brohoritur para pushtetarëve të vendit, "Klerikë shporruni!"

Në videot nga një natë më parë duken forcat e sigurisë që qëllonin me municion dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve në Teheran. Autoritetet mohuan se hapën zjarr, por agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars njoftoi se policia kishte "qëlluar me gaz lotsjellës në disa zona" në përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.

Videot treguan se protestuesit po kolliteshin dhe pështynin, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga tymi i gazit lotsjellës. Zëri i Amerikës nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e videove.

Shefi i policisë së Teheranit, Gjenerali Hossein Rahimi, këmbënguli se autoritetet i trajtuan protestuesit me "durim dhe tolerancë.

"Policia nuk ka qëlluar në tubime pasi mprehtësia dhe përmbajtja kanë qenë synimi i forcave të policisë së kryeqytetit," cituan mediat iraniane.