Perez në 'qiellin e shtatë': Zidane është një bekim nga parajsa!

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez e ka ngjitur në “qiellin e shtatë” Zinedine Zidanen.

Numri një i klubit madrilen e vlerëson trajnerin francez si një “bekim nga parajsa” pas triumfit të tij të fundit në Superkupën e Spanjës.

Zidane arriti ta vazhdojë rekordin e tij të përsosur si trajner i Real Madridit, duke i fituar nëntë trofe nga po aq finale të zhvilluara.

“Zidane ka fituar shumë trofe dhe ne jemi shumë të lumtur për të. Shpresoj që ai të fitojë akoma më shumë” tha fillimisht Perez, siç raportohet nga Marca, shkruan SYRI.net.

“Zidane ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Real Madrid. Ai vendosi të pushojë për një vit dhe tani ai është rikthyer me energji të mëdha. Zidane është një bekim nga parajsa. Ne kemi ardhur këtu pa disa lojtarë kryesorë si Hazard, Benzema dhe Bale. Zidane ka qenë në gjendje të bashkojë një ekip dhe ne fituam trofeun”, vijoi ai.

“Unë mendoj se ne jemi në rrugën për të gjetur veten përsëri pas një rënie të vogël. Njerëz të rinj kanë hyrë që kanë dhënë intensitetin e ekipit dhe ne jemi në një rrugë të mirë.”

“Ne e sollëm Courtois këtu sepse besojmë se ai është portieri më i mirë në botë dhe e ka merituar vendin. Ai ishte një nga lojtarët kryesorë në këtë fitore”, tha Perez.

Pas 90 minutave dhe kohës shtesë pa gola, Real Madridi e mposhti rivalin e qytetit, Atletico Madridit, me rezultatin 4-1 në penallti.