Vrasësi i kunatës shfaqet i qetë në gjykatë: M’u errën sytë

Erdet Çapoku, i akuzuari për vrasjen e kunatës së tij, Enkeleda Çapokut, u shfaq i qetë në gjykatë ku mori masën e sigurisë me burg. Ai rrezikon burgim të përjetshëm, por Çapoku nuk shfaqi ndonjë pendesë.

Sipas tij, pavarësisht se ka investuar, ata nuk e linin në shtëpi. Çapoku megjithatë tha se nuk mban mend se si ka ndodhur ngjarja. Por në polici ai ka rrëfyer të gjithë skenën.

“Kam lënë punën pasdreke, kam shkuar në banesën ku jetoj me qira, jam ndërruar dhe kam dalë te Ura e Ngushtë. Piva kafe, u ktheva në shtpëi, kam marrë një bisht druri sqepari, që e kisha në shtëpi, e mbaja si masë mbrojtëse, mora një thika, që e kisha në banesë. Shkova sërish te Ura e Ngushtë, piva një raki dhe një birrë dhe në orën 23:30 jam nisur për te banesa e kunatës sime".

"Kam parë rrotull, nuk kishte njeri. I kam rënë derës me sup dhe u futa brenda, sepse e dija që shuli brenda ishte i lirë. Kam shkuar direkt te krevati te dhoma e gjumit. Unë e dija që Xhevahire Fjolla flinte te krevati tek dhe Enkeleda me vajzën te krevati dopio. Kam qëlluar me shkopin e drurit njëherë Xhevahiren që të mos ngrihej, pastaj kam goditur me shkopin e drunjtë Enkeledën. Kur ajo reagoi, u ngrit, mua m’u errën sytë dhe pastaj kam nxjerrë nga brezi thikën dhe e kam goditur pa e ditur se ku, disa herë. Pastaj kam dalë, kam marrë biçikletën, kam shkuar te banesa e Apostol Bitikës, që e kam djalë daje. Nuk i kam treguar se çfarë kam bërë dhe jam shtrirë direkt për të fjetur. Jam ngritur rreth orës 9.30”.