Dy Papët: Benedikti paralajmëron Françeskun

Papa në pension, Benedikti XVI, ka lëshuar një mesazh në mbrojtje të beqarisë së priftërinjve në Kishën Katolike. Mesazhi vjen në një libër me bashkëautor kardinalin Robert Sarah.

Ai vjen si një përgjigje ndaj propozimit për të lejuar që burrat e martuar të shugurohen si priftërinj në rajonin e Amazonës.

Papa Benedikti, që u tërhoq në vitin 2013, tha se nuk mund të heshtë për këtë çështje.

Në libër, ai thotë se kjo traditë shekullore ka një domethënie të madhe, sepse i lejon priftërinjtë të përqendrohen te detyrat e tyre. 92-vjeçari thotë se është e pamundur që të realizosh të dy prirjet, edhe të jesh i martuar, edhe prift.

Është diçka e rrallë që Papa Benedikti, i cili u bë i pari Papë që jep dorëheqjen në gati 600 vjet, të ndërhyjë në çështjet e klerit.

Vatikani pritet të komentojë për librin. Komentatorët thonë se kanë mbetur të befasuar.

Benedikti jeton akoma në Vatikan, në një ish-manastir. Vendin e tij e ka zënë Papa Françesku, i cilësuar si më liberal.