VIDEO/ Zaniolo dëmtohet keq nga përplasja me De Ligt, del nga fusha i përlotur

E nisi si titullar takimin ndaj Juventusit dhe po mundohej të zgjonte Romën, pasi verdhekuqtë pësuan dy gola të shpejtë, por një dëmtim në gju bëri që Nicolo Zaniolo të kërkonte ndërrimin e menjëhershëm në minutat e fundit të pjesës së parë të ndeshjes.

Mesfushori 20-vjeçar kryeqytetas mori një top në gjysmëfushën e Romës dhe bëri një galopim prej 40 metrash ku kaloi disa futbollistë kundërshtarë, por në fund u ndal me faull nga mbrojtësi holandez Matijs De Ligt.

Një përplasje në dukje e lehtë, por që nuk ishte aspak e tillë për Zaniolon, që u pa me lot në sy dhe kërkoi menjëherë zëvendësimin, duke lënë fushën në barelë, i ngushëlluar edhe nga kundërshtari i tij Cristiano Ronaldo.

Mesfushori është transportuar menjëherë në klinikën Villa Stuart, për të kryer ekzaminimet e para, por paraprakisht dyshohet për një dëmtim në gju, që mund ta lërë gjatë jashtë fushave fantazistin 20-vjeçar.