'Paketa anti-shpifje'/ Nezaj: Çdo zgjidhje e mesme çon te zgjidhja në favor të qeverisë

Në kushtet kur ndërhyrja e qeverisë me paketën anti-shpifje kundërshtohet, por edhe vetërregullimi nuk funksionin nuk ka një zgjidhje të mesme.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, nënkryetari i AMA-s, Sami Nezaj thotë se çdo zgjidhje e mesme, do të çonte te zgjidhja në favor të qeverisë.

"Praktikisht nuk ka një zgjidhje të mesme mes qeverisë  dhe mediave në këtë rast. Çdo zgjidhje e mesme do të çonte te zgjidhja në favor të qeverisë. Edhe paketa anti shpifje që ngarkon AMA dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike për të zbatuar këto dy amendime është ajo zgjidhja që në pamje të parë duket si zgjidhje e mesme por që në fakt është zgjidhje në favor të një pushteti, kundrejt një pushteti tjetër siç është pushteti i mediave", deklaroi Sami Nezaj

Por kush është zgjidhja?

"Në të gjitha rastet e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje është institucionalizimi i vetërregullimit ose mediat e shkruara të ngrënë dhe më pas të respektojnë një autoritet  të ndërtuar prej vetë tyre për të monitoruar çështjet e zbatimit të etikës në mediat e shkruara", u shpreh Nezaj.  

Sipas Nezajt, mediat nuk kanë qenë në unision për të ndërtuar një trupë vetërregulluese. Ai thotë se mediat kanë qenë të ndarë, për shkak të politikës editoriale.

"Mediat nuk kanë qenë në unsion për të ndërtuar një trupë vetërregulluese e cila pastaj i jepte kompetence kësaj trupe që të vendoste qoftë edhe penalitete mbi mediat. Ndërkohë ka patur edhe ndarje të fortë të mdiave duke u nisur nga politika editoriale. Ka media të shkruara të majta, të qendrës dhe të djathta. Kjo ka bërë që mos gjendet një pikë e përbashkët për një instrument që do ti mbronte dhe do ti mbikëqyrte këto media", shtoi nënkryetari i AMA-s, Sami Nezaj.