Gjykata heq emrin e Mehmet Shehut nga rruga, por...

Pavarësisht nga revolta e madhe publike në atë kohë, Këshilli Bashkiak i kontrolluar nga Partia Socialiste në Ballsh, në vitin 2002 vendosi që t’i vërë emrin e Mehmet Shehut, ish-kryeministrit në kohën e diktaturës, një rruge kryesore në qytet.

Por duke nisur që në fillim të këtij viti, emri i Mehmet Shehut do t’i hiqet rrugës që të çon te Uzina në Ballsh. Kjo është arritur pas fitores në një proces gjyqësor të fëmijëve të ish-tregtarit të madh në Tiranë, Jonuz Kaceli, i cili u pushkatua padrejtësisht pas luftës në 27 Shkurt të vitit 1951.

Gjithashtu, gjykata detyron që Këshilli Bashkiak të paguajë edhe një shumë prej 300 mijë lekësh të reja për dëmin jo-pasuror ndaj fëmijëve të Jonuz Kacelit.

Fëmijët Osman dhe Mirvjen Kaceli e dërguan si fillim çështjen tek Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky institucion në 13 qershor 2018 mori vendim dhe i kërkoi bashkisë Ballsh që të heqë emrin, por bashkia refuzoi prerë.

Më pas, familja Kaceli iu drejtua gjykatës. Kjo e fundit në mesin e vitit 2019 urdhëron bashkinë të heqë emrin. Por ndërkohë që gjykata ka lëshuar këtë urdhër, në aplikacionin e hartës online emërtimi është ende i dukshëm.

Edhe pse në vitet 1942-1944, Jonuz Kaceli iu bashkua forcave partizane, në vitin 1951 ai u konsiderua armik i partisë. Pas arrestimit, ai është torturuar në hetuesi. Madje rezulton të jetë vrarë nga oficerët e Sigurimit në 25 shkurt të vitit 1951, ndërsa familja iu internua.