Snajperi që tronditi veriun/ Dyshimet për vrasjen që kyçi ‘të fortët’

Kastriot Reçi u nis si zakonisht për te lokali i tij në qendër të Rrëshenit, mesditën e 7 janarit. Sapo zbriti nga makina ai takoi një të afërm bashkë me një fëmijë të vogël dhe pikërisht në këtë moment, një snajper i llojit “Sabatti”, i mori jetën.

100 m më larg në vijë ajore ishte i vendosur ekzekutori, me një lloj snajperi të specializuar për vrasje ne distancë. Për një vrasje të tillë duhet të kthehemi shumë vite pas në Shqipëri.

Në Rrëshen, Kastriot Reçi, ish-pronari i televizionit local “Media +” konsiderohej si një njeri familjar. Ai ruhej për shkak të konflikteve të së shkuarës, por asnjëherë nuk kishte ndodhur që ti bëhej atentat. Çdo ditë Reçi lëvizte me persona të tjerë dhe mesditën e 7 janarit, shokët po e prisnin te Pallati i Kulturës në Rrëshen, aty ku kishte edhe lokalin. Snajperisti duket se e kishte mirëmenduar vrasjen. Dyshohet se ai mund të ketë qendruar aty disa ditë me snajperin e tij “Sabatti” për të goditur shenjestrën. I ndihmuar edhe nga takimi që Reçi po zhvillonte rastësisht, autori vendosi të veprojë. Vetëm me një plumb lëshoi mbi 47-vjeçarin, i cili pas 30 sekondave gjeti vdekjen. Skena e vrasjes i ngjan një filmi Hollivudi, që edhe për t’u realizuar ndoshta do të kërkonte disa ditë punë. As një krisëm nuk u dëgjua, as një zhurmë. U pa vetëm që Kastriot Reçi ra në tokë, duke mos e kuptuar arsyen.

Snajperi “Sabatti”

Snajperi që u përdor për vrasjen e Kastriot Reçit është model “Sabatti”, një markë italiane me një numër unik “5R621”. Kjo armë ka dy pjesë të ndara, dylbi dhe ato të silenciatorit. Eshtë një nga armët më të sakta për ekzekutim. Armës i janë montuar të dyja pjesët, dhe ajo është përdorur e plotë në rastin e ekzekutimit të biznesmenit Reçi. Snajperi ka një rreze prej gati 250 metrash, ndërsa distanca e vrasjes ka qenë rreth 100 metra në vijë ajrore. Vlera e këtij snajperi shkon rreth 3 mijë euro. Pa dylbitë dhe silenciatorin, snajperi nuk ka asnjë funksion. Mbetet e dyshimte se si një lloj arme kaq e sofistikuar ka hyrë në Shqipëri pa u pikasur nga policia apo SHISH. Këta lloj snajperash përdoren shpesh për ekzekutime vip në disa raste, prandaj ishte e nevojshme që institucionet e sigurisë ta zbulonin që hyri në Shqipëri.

Autori

Autori i kësaj vrasje sipas burimeve të gazetës Mapo, dyshohet se është i huaj. Ai mund të ketë hyrë në Shqipëri disa ditë para se të kryhej vrasja dhe mund të jetë ndihmuar nga disa persona me të shkuar kriminale në Rrëshen. Autori ishte veshur si femër, kishte hyrë në një pallat 8-katësh dhe pikërisht në katin e 7-të, kishte thyer derën dhe ishte vendosur në një pozicion që kishte fushë-pamje të qartë drejt lokalit ku qendronte çdo ditë Kastriot Reçi. Ai e qëlloi 47-vjeçarin poshtë zemrës dhe më pas hodhi snajperin ndanë pallatit dhe i maskuar u largua në këmbë, në mes të qytetit. Për shkak të veshjes, askush nuk dyshoi tek ai, madje policia në ato momente ndalonte vetëm burrat që ishin të pranishëm. Pasi doli nga qyteti me maskimin perfekt si grua, autori e hodhi veshjen në një lokal dhe u largua i qetë nga Rrësheni (Dyshohet i ndihmuar nga dy persona të tjerë). Ekzekutori sipas eskpertëve, mund të jetë një vrasës profesionist me pagesë. Policia shpreson që të gjejë gjurmë gishtash në armën ose rrobat e tij, por nëse është shtetas i huaj, atëherë do të jetë shumë i vështirë identifikimi.

Pistat e hetimit

Grupi hetimor i ngritur për të zbardhur vrasjen e Kastriot Reçit, po hulumton në disa pista. E para është hakmarrja. Dy vite më pare, Kastriot Reçit i kanë vrarë vëllain. Gasper Reçi u ekzekutua në Romë dhe shkak dyshohej prishja e pazareve të drogës. Më herët në Rrëshen ishte vrarë ish-drejtori i OSHEE, Saimir Jaku. Me këtë vrasje, duket se pati një përplasje mes dy grupeve në qytet, që solli edhe vrasjen e Gasper Reçit. 6 muaj më parë në Rrëshen u vra edhe Armando Gjini, i cilësuar si “ushtar” i Met Kananit. Pikërisht këto vrasje dyshohet se kanë lidhje edhe me ekzekutimin e Kastriot Reçit 3 ditë më parë.

Pista e dytë e hetimeve është një magazinë droge që u kap në Rrëshen në vitin 2016-të. Në atë kohë, Kastriot Reçi u hetua për ngjarjen, por nuk u gjetën prova. Ka dyshime për pagesa të prapambetura, pikërisht për këtë sasi droge. Pista e tretë lidhet me prishjen e pazareve të drogës në Itali dhe Belgjikë, por kjo ngelet e zbehtë për hetuesit, pasi viktima vitet e fundit nuk ka lëvizur nga Shqipëria. Sipas grupit hetimor pista më e fortë ku janë përqendruar është hakmarrja, pasi autorët, mund të kenë dyshuar se Kastriot Reçi ka patur të dhëna ose ishte i përfshirë në vrasjen e Armando Gjinit dhe Saimir Jakut në Rrëshen. Çfarëdo piste që të jetë, duket që Rrësheni nuk do të gjejë qetësi në vijim.

Vrasja që tronditi veriun

Me këtë vrasje, ujrat e turbullta të krimit në Rrëshen, Lezhë dhe Laç, janë trazuar keqazi. Frika nga ndonjë hakmarrje, profesionalizmi i ekzekutorit, ka futur drojen tek shumë personazhe të errëta në këtë zonë. Sipas burimeve policore, pas kësaj vrasje, shumë nga ata të cilësuar si “të fortë”, nuk dalin më nga banesa./MAPO