Irani: Avioni iu afrua një zone të ndjeshme, kishim 10 sekonda kohë...

Irani e pranoi më në fund se avioni ukrainas me 176 pasagjerë u rrëzua nga një raketë e tyre.

Në një shpjegim ditën e shtunë, gjenerali i Gardës Revolucionare, Amir Ali Jahizadeh tha se gjithçka erdhi për shkak të një gabimi.

Sipas tij, operatori i sistemit të raketave kishte kujtuar se avioni Boeing 737 ishte një raketë.

Ai kishte vetëm dhjetë sekonda për të vendosur nëse do hapte zjarri, tha gjenerali.

Sipas tij, avioni po i afrohej shumë bazës ku gjendet Garda Revolucionare, një zonë suhmë e ndjeshme për Iranin.

“Nën këto rrethana, për shkak të një gabimi njerëzor, avioni u qëllua duke menduar se ishte shënjestër armike”, thuhet në deklaratë.

Gjenerali mori përgjegjësinë për ngjarjen, duke thënë se kishte kërkuar edhe përpara incidentit, që ajo zonë të shpallej për ndalim-fluturimi, por kërkesa e tij nuk ishte marrë parasysh.

Irani nxitoi të deklaronte se avioni ishte rrëzuar për shkak të një problemi teknik.

Kur SHBA dhe vendet e tjera perëndimore thanë se ka të dhëna se avioni është qëlluar me dy raketa, Irani deklaroi se kjo ishte një gënjeshtër e madhe.

Pasi Irani pranoi fajin, Ukraina tha se pret që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.