I dërguari special i SHBA anulon vizitën në Kosovë: Fatkeqësisht, jo të gjitha palët ishin të gatshme

Për shkak të ngërçit mes VV-së dhe LDK-së për formimin e Qeverisë së re, i dërguari special i Trump për bisedimet Kosovë –Serbi, Richard Grenell, ka anuluar një vizitë në Prishtinë.

Sipa një zyrtari të Ambasadës së SHBA-së në Berlin, vizita është anuluar sepse jo të gjithë në Kosovë, kanë qenë të gatshëm që koalicioni të realizohet.

Vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë bërë që edhe ambasadat e huaja dhe ndërkombëtarët të angazhohen me qëllim të arritjes së një koalicioni në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Pak ditë më parë në Berlin, Grenell kishte pritur nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun dhe dy anëtarët e kryesisë, Avdullah Hotin dhe Skënder Hysenin, me të cilët kishte folur rreth bisedimeve për krijimin e qeverisë së re.

Në një situatë të tillë, Richard Grenell kishte planifikuar edhe një vizitë në Kosovë, por megjithatë e ka anuluar, pasi jo të gjitha palët kanë qenë të gatshme.  

Lajmin për anulimin e vizitës në Kosovë, e kanë konfirmuar nga zyra e ambasadorit Grenell në Berlin.

Anulimi i vizitës së ambasadorit të SHBA-së në Berlin, ka ndodhur pasi jo të gjitha palët kanë qenë të gatshme, por pa e specifikuar se cilat palë.

“Në përgjigje të pyetjes tuaj, unë mund t’iu them se ne e kemi anuluar udhëtimin e fundit sepse jo të gjitha palët ishin të gatshme, fatkeqësisht”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Përfaqësuesit Special, Dick Custin.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, ndërkohë vendi vazhdon të mbetet pa institucione për më shumë se 3 muaj.