Jozefina Topalli tregon historinë e padëgjuar më parë: Vajzën e linda ditën që humba tim atë

Ish-kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka qenë pasditen e sotme e ftuar tek Rudina. Në një bisedë të ngrohtë, ajo tregoi se si e priti ardhjen në jetë të nipit të saj, Nikolas, por zbuloi dhe detaje të paditura më parë lidhur me momentin kur lindi vajzën e saj, Megi.

“Ardhja e Megit në jetë ka ardhur në një mënyrë të pazakontë. Unë e kam lindur ditën e varrimit të babit tim. Lindja e saj ndodhi pak orë pasi ai vdiq, domethënë u përshpejtua nga kjo që ndodhi. E mbaj mend atë ditë me shumë emocion. Mbaj mend që arkivoli i babit tim kaloi përballë martenitetit. Janë këto ngjarje që të bëjnë të shikosh ndryshe jetën, për më shumë mirëkuptim në familje dhe harmoni”, tregoi Jozefina.

Topalli zbuloi dhe emocionet pasi është bërë gjyshe, duke shtuar se dëshiron që nipi ta thërrasë ‘Nëna Ina’. Ajo pohoi gjithashtu se lajmin e lindjes së nipit e mori vesh nga doktoresha e cila i vuri të dëgjonte të qarën e Nikolas në telefon. Pas këtij momenti emocionues dhe vetë Jozefina nisi të qante nga gëzimi, ndjesi të cilën nuk e kishte përjetuar as kur kishte lindur vetë.