Inter përparon për Marash Kumbullën, por Lazio nuk dorëzohet

Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, me paraqitjet që po bën në sezonin e parë në Serie A, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha italiane.

Nuk është rastësi që “xhevahiri” i Veronës ka përfunduar në listën e blerjeve të Interit, Napolit dhe Lazios.

Për mbrojtësin e lindur në vitin 2000, hapa para ka bërë klubi zikaltër.

Por sipas “Cittaceleste.it”, Lazio nuk do të kishte ndërmend të qëndrojë dhe të shikojë se si rivalët po përparojnë për blerjen e talentit shqiptar, raporton Syri.net.

Sipas medias së afërt me klubin lacial, kanë nisur kontaktet e kryeqytetasve me Kumbullën.

Sidoqoftë, Interi mbetet konkurrenti më i fortë për 20-vjeçarin shqiptar.

Presidenti i Veronës kërkon 20 milion euro, një shifër që zikaltrit do të donin ta zbutnin disi, duke futur në negociata Federico Dimarco, i cili është i huazuar te Parma, por që është lojtar i Interit.