Thaçi-Kurtit: A do të jesh ti i mandatuar për krijimin e Qeverisë, apo ...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka nisur sërish letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për vonesat që po krijohen në propozimin e mandatarit për kryeministër.

Në letrën e tij Thaçi i ka kërkuar Kurtit që ta njoftojë nëse VV-ja do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që siç thekson letra e Thaçit, të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër, siç përmend pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

‘Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre.

Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër’, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14,  e cila vëren ‘se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin’, thuhet në letrën e Thaçit dërguar Kurtit.