Manjani: Sulmi nga Irani s'do të kishte kaq të vrarë, sa po vriten nga mungesa e rendit!

Pak orë pas një vrasjeje tjetër tronditëse në llojin e saj, brenda për brenda familjes shqiptare, ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka akuzuar qeverinë dhe në veçanti Ministrinë e Brendshme për mungesën e rendit publik , që ka sjellë një seri vrasjesh të rënda thuajse përditë që nga fillimi i këtij viti.

“Me kaq sa u vranë nga mungesa e rendit publik këto ditë të vitit 2020, kërcënimi i Iranit duket vërtet qesharak, - ironizoi Ylli Manjani në rrjetet sociale. - Nuk do na kishte marrë kaq shumë jetë, një sulm i një force të huaj në kaq pak kohë.”

Ky qendrim erdhi pas një vrasjeje me snajper në Rrëshen në mes të ditës në mes të qytetit; pak ditë pasi nipi vrau dhe mbyti në rezervuar nusen e xhaxhait dhe mbrëmjen e së enjtes në Paskuqan, kunati vrau kunatën e tij duke e goditur me një shkop druri në kokë.