Sakrifica e madhe për ndeshjen e bamirësisë, flet Besnik Hasi: Çdo njeri duhet të ndihmojë në këtë kauzë!

Nesër në orën 18:00, do të luhet miqësorja e yjeve, një ndeshje ku të ardhurat  e së cilës do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në këtë event do të jetë pjesëmarrës dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi, i cili ka bërë një sakrificë të çmendur.

48-vjeçari, udhëtoi nga Arabia Saudite, teksa mbërriti mëngjesin e ditës së sotme në Tiranë. Hasi aktualisht është trajner i Al Read. Gjakovari do të qëndrojë vetëm 24 orë në Shqipëri, pasi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së parë të bamirësisë, do të niset sërish drejt Arabisë Saudite, pasi skuadra e tij ka ndeshje në fundjave dhe kësisoj ai duhet të jetë prezent për të drejtuar Al Read.

Në një prononcim për “Top Channel”, Hasi ka folur në lidhje me prezencën e tij në këtë event bamirësie teksa u shpreh:

“Është e moralshme që të jesh këtu. Çdo njeri duhet të ndihmojë në këtë kauzë dhe njerëzit atje ku jam unë e kuptojnë këtë gjë. Edhe pse lash ekipin 2 ditë para ndeshjes vetëm,  kam stafin tim dhe presidenti tha se: E ke te obliguar, nuk ka problem.

Një ëndërr që të gjithë e ndjejnë por asnjëherë nuk është realizuar, por në këtë mënyrë mund të luajmë bashkë, që të jemi të gjithë së bashku për fanellën kuqezi. Do të më emocionojë takimi me çunat tonë që kemi luajtur bashkë. Jam mësuar të jem çdo ditë në fushë, akoma kam energji që të jem çdo ditë me çunat dhe t’i stërvis. Por, kur ke moshën e duhur dhe përvojën e duhur do vij edhe Kombëtarja”, u shpreh Hasi.