Rama mund të tërhiqet si ministër i Jashtëm? Ja kush mund ta zëvendësojë

Prej pak javësh nëpër qarqe të ndryshme po diskutohet mundësia e largimit të Gent Cakajt si kryediplomat në detyrë.

Fillimisht një lajm u përhap nëpër portale për mundësinë e shkarkimit për shkak të përplasjeve të tij me Edi Ramën.

Këto tensione lexohen edhe këto ditë që Shqipëria ka marrë drejtimin e OSBE. Jo vetëm kaq, por Cakaj praktikisht është pa ndonjë detyrë si ministër. Dosjet e rëndësishme ose po ndiqen nga vetë Edi Rama, ose janë ngrirë për momentin.

Që nga Mini-Shengeni, te negociatat me Greqinë apo edhe te drejtimi i OSBE, Cakaj nuk duket se po ndjek ndonjë proces. E vetmja gjë për të cilën mbahet mend deri tani, ishin disa lëvizje në trupin diplomatik.

Në këto kushte, kur spekulimet janë të shumta, ka raportime se edhe vetë Edi Rama mund të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme.

Madje kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat që mund të marrin drejtimin e diplomacisë. Burime jozyrtare thonë se së fundmi është lakuar edhe emri i këshilltarit të Ramës, Endri Fuga, për këtë post.

Asgjë nuk mund të thuhet me saktësi për momentin, duke ditur se Shqipëria ka marrë drejtimin e OSBE dhe kryeministri është angazhuar për të shkuar në Ukrainë, madje edhe për të takuar presidentin rus.

Derisa gjërat të konfirmohen ose jo, qeveria shqiptare e ka provuar edhe në rastin e drejtimit të OSBE se sa shumë i mungon serioziteti shtetit, duke nisur me historinë e misionit të Shqipërisë në Ukrainë.