'Kushtet' për negociatat me BE/ Greqia kërkon varret e ushtarëve në jug të Shqipërisë

Greqia i rikujton Shqipërisë se afrimi i saj në familjen europiane dhe raportet e mira fqinjësore kushtëzohen nga çështje të cilat Tirana zyrtare ende nuk po i adreson.

Për presidentin grek, Prokopis Pavlopoulos, një nga to vijon të mbetet gjetja e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në jugun e Shqipërisë gjatë viteve 1940-41.

Këtë deklaratë kreu i shtetit helen ua përsëriti të familjarëve dhe drejtuesit të Unionit të të Afërmve të Personave të Rënë në Frontin Shqiptar.

“Shpresoj shumë që fqinjët tanë shqiptarë më në fund do e lënë pas retorikën e papranueshme që e vazhdon prej dekadash. Dhe do doja t’i kujtoja se qëndrimet e Greqisë për raportet tona dypalëshe por edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë, varen shumë nga ndryshimi i këtij pozicioni", citohet të jetë shprehur Pavlopoulos.

Sipas drejtuesit të unionit, George Sourlas, betejat në Epirin Verior kundër forcave fashiste gati 80 vite më parë do i kushtonin jetën 8 mijë ushtarëve grekë.

Eshtrat e shumë prej tyre nuk janë gjetur për t’u varrosur me nder nga të afërmit.

“Ne e falënderojmë presidentin Pavlopoulos për ndërhyrjet dhe përpjekjet e tij përballë palës shqiptare. Gjetja e operacioneve të kërkimit të eshtrave nisi dy vite më parë dhe shpresojmë që shkëlqesia e tij do vijojë ta mbështetë këtë kauzë kombëtare e njerëzore", deklaroi ai

Prej vitesh, Shqipëria po zbaton marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë në vend, një nga të cilat është vendosur të ndërtohet në Këlcyrë. /Ora News