Ibrahimovic zgjedh partnerin e sulmit te Milani

I kanë mjaftuar 35 minuta në fushë dhe disa ditë stërvitje për të kuptuar se Milani nuk mund të shkojë askund me skemën 4-3-3 dhe Zlatan Ibrahimovic i ka sugjeruar trajnerit Pioli një tjetër rreshtim taktik.

Sipas mediave pranë klubit kuqezi, gjiganti suedez mendon se për vetë cilësitë e lojtarëve, Milani mund të shprehet më mirë me rreshtimin 4-3-1-2 dhe ka zgjedhur portugezin Leao si partner për repartin e sulmit.

Pas dyshes sulmuese pritet të luajë turku Hakan Calhanoglu, ndërsa në stol pritet të ulet spanjolli Suso, i cili edhe në takimin e fundit konfirmoi se nuk është në formën e duhur dhe shpesh u vërshëllye nga tifozët kuqezi.

Përveç Susos, nuk ka më vend te Milani as për polakun Piatek, që duket se brenda këtij muaji do të transferohet në kampionatin anglez, pasi përveç Aston Villas e West Hamit, në garë është përfshirë edhe Tottenhami.

Jose Mourinho ka dhënë miratimin për Piatek dhe drejtuesit e klubit londinez kanë bërë gati një ofertë prej 35 milionë eurosh për ta marrë futbollistin nga Milani, që në këtë mënyrë mund të shmangë edhe humbjet në bilanc.