Tensionet SHBA - Iran/ Kryeparlamentari i Irakut: Mos na e shkelni sovranitetin

Sulmi me raketa mbi bazat ushtarake amerikane nga Irani është shkelje e sovranitetit të Irakut.

Kështu e ka cilësuar sulmin e mbrëmshëm mbi amerikanët, kryeparlamentari irakian, Mohammed al-Halbousi.

Në një deklaratë të lëshuar për media, al-Halbousi u ka bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen me veprimet e tyre.

Ai ka thënë se Iraku refuzon që palët e përfshira në konflikt ta përdorin territorin e këtij shteti për arritjen e qëllimeve të tyre.

“Ne do të ndërmarrim veprimet bashkë me qeverinë irakiane, që të ndalen sulme të tilla që cënojnë sovranitetin e Irakut, dhe shtetin tonë ta mbajmë jashtë konflikteve dhe zonës së konfliktit”, ka thënë kryeparlamentari irakian.