‘Granit Xhaka do dukej lojtar i madh te Liverpooli’

Një ish-futbollist i Liverpoolit “sponsorizon” transferimin e Granit Xhakës në “Anfield”.

Më saktë, Danny Murphy, i cili ka qenë pjesë e “The Reds” në sezonet 1997-2004, aktualisht në rolin e komentatorit (BBC), është i mendimit që futbollisti shqiptar do të shkëlqente në skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp.

Mesfushori 27-vjeçar u shfaq i vendosur për t’u larguar nga Arsenali pas konfliktit që pati me tifozët në tetor pas zëvendësimit të tij kundër Crystal Palace. Mirëpo pasardhësi i Emery, Mikel Arteta, e ka kthyer 27-vjeçarin përsëri në skenë.

Murphy ka folur me superlativa për për Xhakën gjatë komentit në fitoren e Arsenalit 1-0 ndaj Leeds në Carabao Cup.

“Nëse Xhaka do të luante te Liverpooli në krah të Jordan Hendersonit dhe Fabinhos, ai do të dukej një lojtar i madh, sepse teknikisht është i mirë, pason saktë, ka një goditje të shkëlqyeshme dhe aftësinë për të pasuar dhe hapur lojën me këmbën e majtë. Por me një skuadër si Arsenali, që vuan shumë, është i detyruar të mbrojë”, tha Murphy.