Vetëvendosja: Do t’i dërgojmë Thaçit emrin e Kryeministrit

Kryesia e Vetëvendosjes ka marrë vendim sot t'i dërgojë emrin e të zgjedhurit për Kryeministër të Kosovës, Presidentit të vendit Hashim Thaçi. Pa e dhënë këtë emër në njoftimin e saj, dihet tashmë që bëhet fjalë për Albin Kurtin. Po ashtu, VV njofton se ka rifilluar bisedimet me LDK për koalicionin qeverisës.

Në njoftimin e Vetëvendosjes thuhet: “Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.  Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim.

Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t'ia drejtojë Drekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.”