Rrëzimi i avionit/ ‘Defekti teknik është spekulim i pastër’

Një tragjedi ajrore u regjistrua në Iran të mërkurën. Një avion që po fluturonte nga Teherani drejt Kievit në Ukrainë shpërtheu në flakë.

Të 176 personat në bord humbën jetën.

Autoritetet iraniane thanë menjëherë se bëhej fjalë për një defekt teknik. Gazeta jordaneze Al Hadath shkruan se avioni është rrëzuar nga mbrojtja ajrore iraniane.

Ambasada e Ukrainës në Iran fillimisht fajësoi problemet në motorr për rrëzimin. Ata e hoqën deklaratën menjëherë.

Teksa Irani mbron tezën se ishte një defekt teknik, Ukraina thotë se duhet pritur hetimi zyrtar.

Avioni Boeing 737 ishte i vitit 2016 dhe nuk ishte përdorur nga ndonjë kompani tjetër përveç Ukraine International Airlines. Për më tepër, avionit i ishte bërë një kontroll para dy ditësh. Normalisht, një avion i tillë mund të fluturojë për një distancë të gjatë edhe nëse i dëmtohet një motorr.

Ish-shefi i Air Berlin, Joachim Hunold tha për gazetën BILD: “Ky është një avion shumë i sigurt. Për mua, është befasuese që autoritetet iraniane flasin për një defekt teknik kaq shpejt. Për mua është një spekulim i pastër të flasësh menjëherë pas aksidentit për defekt teknik. Për ta bërë diçka të tillë, duhen më shumë informacione, gjë që është befasuese për mua”.